Akademik Prof. Dr.ESHREF ADEMAJ

Këtu mund të diskutoni për gjithqka që mendoni se ja vlen të diskutohet me anëtarët e tjerë, pra ky do të jetë një vend për relaksim. Sigurisht gjithkqka duhet të jetë në përputhje me rregullat. (VËREJTJE: Këtu nuk duhet postuar detyra apo probleme matematikore.)
Postojeni në Facebook Postojeni në Twitter

Akademik Prof. Dr.ESHREF ADEMAJ

Postnga ValdrinM » 10 Gusht 2011, 19:51

AKADEMIK PROF. DR
ESHREF ADEMAJ

( 1940 - 1994)
Personelitet i shquar i shkencës dhe luftëtar i
paepur për të drejtat njerzore e kombëtare


Parathënie

Akademik Prof. Dr. Eshref Ademaj me rezultatet e arritura në lëmin e Matematikës, la pas vetes aq studime, aq të arritura shkencore e libra, aq e përjetsoi punën e vetë në to , sa ai gjithmon do të jetë emër i nderuar dhe i çmuar jo vetëm në përmasat kombëtare por edhe në nivelin ndërkombëtar. Rezultatet të cilat i ka arritur prof. Eshref Ademaj në lëmin e matematikës, para së gjithash nga teoria e grupeve të fundme të thjeshta janë integruar bindshëm dhe me dinjitet në shkencën botërore.
Përgatitja e tij profesionale, aftësit e jashtëzakonshme pedagogjike dhe organizative, prof. Eshrefin e nxorën në ballë të trupës pedagogjike e shkencore të Fakultetit të Shkencave Matematiko Natyrore por edhe të Universitetit të Prishtinës. Ishte përpilues i kurrikulit mësimor në lëmin e matematikës, veçmas i hartimit të programeve të disiplinave kryesore formuese, në organizimin e katedrës së matematikës, në krijimin e atmosferës shkencore në fakultet e universitet, në përpilimin e ligjeratave dhe teksteve shkencore…
Akademik prof. dr. Eshref Ademaj tërë energjinë e derdhi në avancimin e punës shkencore në Universitet dhe në mbrotjen e autonomisë së tij. Në veçanti kontributi i tij ishte madhor në kohën kur shteti “juridik serb” me tërë potencialin e vetë ekonomik, propagandistik, policor e ushtarak ( 1991 e në vazhdim) ishte përcaktuar për çbërjen definitive të shkollës shqipe në përgjithësi, të Universitetit të Prishtinës në veçanti dhe për çbërjen e Kosovës. Ai ishte një nga ideatorët kryesor për vazhdimit institucional dhe legal të punës së Universitetit nëpër objekte private, pas aplikimit të masave të dhunshme administrative të pushtetit serbokomunist në Universitetin e Prishtinës. Në mbrojtje të këtij institucioni me interes kombëtar, u gjend në ballë të formave të ndryshme të rezistencës për mbrojtjen e tij dhe të shkollës shqip, duke përfshir këtu edhe protestat dhe demonstratat gjithëpopullore (viti 1991 e në vazhdim ).
Prof. Eshref Ademaj ishte luftëtar modern, i denjë dhe i pakompromis për të drejtat njerëzore dhe kombëtare të popullit shqiptar. Kudo që prezentonte në simpoziume të ndryshme shkencore të niveleve ndërkombëtare, hapas, në mënyrë të guximshme dhe argumentuese e prezentonte dhunën dhe gjenocidin serbe mbi popullin shqiptar të Kosovës. Padyshim se në këtë kontekst kontributi i tij u materializua me daljen në dritë të librit “ Kosova Viktim” në bashkautorsi me Zvonimir Sheparoviqin (viktimolog i njohur në nivel botëror). Prof. Eshrefi edhe në cilësin e anëtarit të KMDLNJ - së në Prishtinë, u angazhua dhe kontribuoj në mbrotjen e të drejtave dhe lirive të individuale, por edhe për të drejtat kombëtare e njerëzore të shqiptarëve.
Prof. dr. Ejup Statovci (tani i ndjer, atë botë rektor i Universitetit të Prishtinës , në mbedhjen komemorative me rastin e vdekjes së prof. Eshrefit, të datës 07.08. 1994) në mes të tjerash theksonte : Vepra e tij e tërsishme aq madhore përherë do t’i jap dritë mendimit të Universitetit dhe çështjes sonë.
Akademik Prof. dr. Eshref Ademaj padyshim është ndër figurat më poliedrike të botës intelekuale dhe kombëtare në historin tonë më të re. Për kontributin shkencor dhe kombëtar të prof. Eshref Ademaj, duhet të flasin dhe të shkruajnë punëtorët eminent shkencor dhe personalitete të veçanta nga rrafshi mbarkombëtar sepse i veçant ishte profesori i nderuar. Megjithat unë në shenjë respekti të thell për veprimtarin e përgjithshme të profesorit të nderuar Eshref Ademaj, mora guximin, që në përvjetorin e 15 të vdekjes së tij të shkruaj këtë libër me të cilin kam bërë përpjekje “simbolike” që sa do pak të kontribuojë në ndriqimin e veprimtarisë së tërësishme, në veçanti për çështjen kombëtare të prof. Eshref Ademajt, por për më tepër dëshiroj të senzibilizoj të tjerët për tu marrë me studimin e të arriturave të gjithëmbarshme të profesorit të ndjer.
Këtë libër gjithsesi e begatojnë shkrimet e autorëve të tjerë, të cilët i kanë paraqitur pikpamjet e tyre rreth prof. dr. Eshref Ademajt, nga fushat e ndryshme.
Falenderoj familjen e prof. Eshrefit e cila më dha kuroja dhe që në nisëm e përkrahu botimin e këtij libri ( në veçanti bashkshorten zonjën Rexhbije) dhe të gjithë ata që ndihmuan botimin e librit. Gjithashtu falenderoj edhe të gjitha ata që me idet dhe propozimet e tyre më ndihmuan në hartimin e këtij libri, recenzentin, lektorin, donatorët etj.




Aleko Minga
Revista matematike “Plus” 1994

Kur shtrohet një detyrë madhore historike për zgjidhje, si rregull, do të gjenden edhe njerëzit e përshtatshëm që koha i thërret për të kryer realizimin e saj. Kështu ndodhi edhe kur Kosova luftonte që të fitonte të drejtën legjitime për të arsimuar bijët e vet në gjuhën amëtare shqipe në të gjitha nivelet e shkollimit, për të zhvilluar kulturën kombëtare e për të afirmuar thesarin e vlerave shpirtërore të krijuara, për të lëvruar me dinjitet fushat e dijes dhe për të zënë një vend të merituar në komunitetin shkencor ndërkombëtar. Kjo trevë e matririzuar nxori nga gjiri i vet një gjeneratë intelektualësh të talentuar, që, duke shpërfillur sakrificat, guxoi të marrë përsipër këtë mision historik dhe të luftojnë me trimëri dhe me zgjuarësi për përmbushjen e tij.
Ndër përfaqësuesit më të spikatur dhe më me personalitet të këtij brezi është edhe Prof. Dr. Eshref Ademaj. Në vijën e pare të lëvizjes atë e nxprën formimi i tij i shëndosh intelektual, mprehtësia dhe shpejtësia e gjykimit, aftësit organizuese dhe, mbi të gjitha, tiparet e mrrekullueshme njerëzore të tij, në të cilat mishëroheshin karakteristikat më të vyera të etnisë shqiptare.
Eshrefi, me temperamentin e tij të zjarrët, i bëri herët idealet e veta aspiratat e bashkëkombave për liri, të drejtat kombëtare e njerëzore dhe përparimin shoqëror. Ai ishte i ndërgjegjshëm se kjo luftë e vështirë do të zhvillohej në kushtet e inferioritetit në qoftë se shqiptarët nuk do të kishin njerëz të ditur, të aftë e me formim bashkëkohor që t’i orientonin në labirintet e ngatërruara në të cilat do ta futnin luftën armiqët dinakë. Përgatitja e luftëtarit misionar fillon që në bankat e shkollës se dija është armë. Dhe Eshref Ademaj i vuri vetes si qëllim të ishte i shkëlqyer në mësime. Të tilla i pati rezultatet në shkollën e mesme. Më të shquarin e pat edhe gjenerata që bashk me të kreu studimet për matematikë në Fakultetin Filozofik të Prishtinës më 1964. Emër të nderuar la pas vetes edhe në studimet pasuniveristare, në fillim në Beograd në Fakultetin e Shkencave Matematiko Natyrore ku magjistroi në vitin 1970 dhe më pas në Zagreb, ku ai përfundoi doktoraturën më 1976, duke mbrojtur me sukses të plot disertacionin “ Kontribut teorisë së grupeve të fundme të thjeshta “ , që tërhoqi vemendjen e opinionit shkencor për idet e reja dhe interesante që paraqiteshin në të.
Që në vitet e para të krijimit të Universitetit të Prishtinës, Eshref Ademajn veprimtaria e tij e nxori në ballë të trupës pedagogjike e shkencore të këtij institucioni, që për jetën e Kosovës kishte tjetër rrezatim e ndikim, tjetër peshë pot a krahasosh me institucionet analoge të vendeve tjera. Në qoftë se do të kërkonim një karakterizim sintetik për punën e Eshrefit në këto vite, na duhet të përmendim përkushtimin e tij deri në harrimin e vetvetes. Ndihmesa e tij ka qenë e vaçantë në përpilimin e planeve mësimore. Në hartimin e programeve të disiplinave kryesore formuese, në organizimin e katedrës, në krijimin e atmosferës shkencore në fakultet dhe universitet, në përpilimin e ligjeratave e të teksteve, etj. Kudo ku lindte një problem, kudo ku ndeshej një vështërsi ishte e dëshirueshme prania e Eshrefit, ishte i mirëpritur mendimi i tij. Prandaj Eshrefi fitoi shumë shpejt një autoritet të pakontestueshëm dhe ai u kthye në një “faktor” që ata që përpiqeshin të pengonin shkollimin shqip u detyruan ta çmonin si të “rrezikshëm” dhe që duhej neutralizuar me çdo mjet. Eshrefi ishte polemist i shkëlqyer në debate dhe argumentet e tij vështirë përballoheshin nga kundërshtarët.
Në mjaftë biseda që kemi pasur me të, ai ngulmonte te ideja se Univeristeti i Prishtinës do ta meriton rolin që ia ngarkonte koha vetëm po të shëndrrohej në institucion dinjitoz të arsimit të lartë. Në qoftë se brenda një periudhe relativisht të shkurtër Univeristeti i Prishtinës fitoi prestigjin e duhur, në themel të kësaj arritje, bashkë me atë të tjerave, janë edhe mundi dhe përpjekjet e Eshrefit. Kush ka patur fati të dëgjonte ligjeratat e tij ka dalë prej auditorit me një pasuri të re intelektuale, sepse si rrallëkush ai dinte ta përzgjidhte informacionin, ta ndërtonteparaqitjen e tij me logjikë të përkryer, të theksonte në mënyrë të qëlluar idet, të çelte horizonte për mendimin kurreshtar e kërkues.
Formimin e shkencëtarëve të rinj mund ta realizojë me nivelin e duhur vetëm një kërkues i pasionuar dhe rezultativ. Këtë cilësi e pati në shkallën më të lartë Eshrefi, prandaj e meriton vendin si figurë qëndrore e veprimtarisë shkencore në fushën a matematikës në Kosovë. Për të kuptuar si duhet vlerën e asaj që keru Eshrefi, duhet të nënvizojmë disa rrethana specifike. Eshtë tepër e vështirë të krijosh diçka që të përfshihet në thesarin e matematikës kur sot punon jashtë qendrave të fuqishme shkencore në këtë fushë. Univeristeti i Prishtinës, i posakrijuar, ishte një pike periferike për botën e matematikës. Traditat e kërkimit, aq të rendësishme, mungonin krejtësisht për shkaqet e njohura historike. Qetësia e nevojshme për hulumtim trazohej orë e çast nga faktorët pengues jashtëmatematikor. Të gjithë këto vështërsi i sfidoi Eshrefi. Sfida e tij, më tepër se me karakter personal; duhet vendosur në kontekstin e vet të natyrshëm. Me suksesin e tij ai do të dëshmonte se kombit tone nuk i mungojnë talentet që mund të maten me të tjerët në fushën e shkencës dhe të kontribuojnë me dinjitet në përparimin e saj në shkallë botërore. Për këtë, Eshref Ademaj zgjodhi si zone të interesimeve të tij shkencore një nga lëmit më neuralgjike e më të rendësishme të algjebrës moderne, ku matnin forcat matematikanë nga më të aftit.
Syrit të mprehtë e të stërvitur të dijetarit me përvojë Prof. Jankos nuk i shpëtoi potenca krijuese e Eshrefit tonë. Prandaj ai nuk ia kurseu mbështetjen në hapat e pare dhe e ndihmoi të futet në qarqet shkencore më të njohura në fushën përkatëse, sepse ishte i bindur në zotësin e Eshref Ademajt. Rezultatet nuk vonuan Eshrefi shkroi një vargë artikujsh, të cilat u botuan në revistat e specializuara më me autoritet dhe u mirëpritën për orgjinalitetin dhe freskin e ideve, për mundësit potenciale që ofronte shfrytësimi operativ i tyre por edhe për teknikën e hollë të përdorur.
Prof. Dr. Eshref Ademaj është marrë me teorin e grupeve të fundme dhe në këtë kuadër edhe me grupet e fundme të thjeshta. Në vitin 1980, falë punimeve intensive të mjaftë matematikanëve, u arrit të përpilohet nomenglatura përfundimtare e grupeve të fundme të thjeshta, duke vërtetuar se çdo grup i thjeshtë është izomorf me një nga grupet e thjeshta të gjetura deri më 1980. Ky konsiderohet sin jë prej zbulimeve më madhore matematike të shekullit tone, që do të përshpejtojë paraqitjen e pritshme të grupeve të undme nëpërmjet grupeve të fundme të thjeshta. Në këtë zonë ishin përqëndruar edhe studimet e Prof. dr. Eshref Ademaj, prandaj rezultatet e tij janë integruar bindshëm dhe me dinjitet në shkencën botërore. Eshtë kjo arsyeja që kumtimet e tij shkencore janë pritur me interes të veçantë në Jenë, në Sofije, në Hajdelberg, në Stambollë, Athinë, Novisibirski, Lajpcnig etj, pa zënë në gojë Tiranën e Prishtinën. Më vjen mire të përmend se ligjeratat e Eshrefit në Tiranë dhe bisedat e tij kanë shërbyer si nxitje për lëvrimin edhe në Shqipëri të teorisë së grupeve prej një kolektivi matematikanësh, që çmohet ndër më të suksesshmit dhe më të frytshmit ndër ne. Natyrisht, një shkencëtar i përmasave të Eshrefit, veç fushës kryesore do të hulumtonte në një zone më të gjërë. Prof. Dr. Ademaj ka studime edhe në teorinë e grupeve të pafundme, në gjeometrinë e fundme dhe në kombinatorikë. Dhe kudo ai ka ditur të shfaqet si kërkues me personalitet dhe mjaft arigjinal.
Prof. Dr. Eshref Ademaj ishte organizator i rrallë. Ai ishte nismëtari kryesor dhe shpirti i vërtetë i organizimit të studimeve pasuniversitare matematike në Fakultetin e Shkencave Matematiko – Natyrore të Univeristetit të Prishtinës. Të udhëhequr prej tij kanë fituar gradat e magjistrit dhe të doktorit të shkencave shumë matematikanë të rinj. Nën kujdesin e Eshrefit filloi botimin revista “Punime Matematikore”. Falë punës së tij cilësore si kryeredaktor përgjegjës i saj, kjo revistë ndikoi mjaft në afirmimin ndërkombëtar të matematikanëve të Kosovës.
Njerëzit kishin krijuar bindjen e palëkundër që punët do të ecnin përsëmbari po t’i merrte në dorë Eshrefi. Prandaj atë e kishin zgjedhur në shumë forume profesionale dhe shoqërore. Si kryetar i Shoqatës së Arsimtarëve Univeristar dhe Punonjësve Shkencor të Kosovës ai u bë shembëlltyrë ideale e rezistencës për ruajtjen e autonomies së Universitetit të Prishtinës dhe mbaji qëndrim burrëror dhe të prerë, jo vetëm kundër futjes se Univeristetit nën masat e dhunshme, kundër masave të egra repressive ndaj shkollimit shqip por edhe në një rrafsh më të gjërë kundër tërë terrorit dhe gjenocidit serb.
Kohët e trazuara i vënë në prove karakteret e mëdha, ashtu si zjarri ndan ariun nga metalet kallpë. Prof. Dr. Eshref Ademaj ishte burrë me atë kuptim që i jep shqiptari kësaj fjale. Ai ishte njeri që nuk e vinte në hesap veten dhe flijonte çdo gjë kur duhej mbrojtur e drejta, e mira, kur duhej përkrahur progresi. Ishte shok me të cilin e ndjeje veten të sigurt ta kishe në krah. Ishte ndër ata që cilido e quante për nder të veçantë ta kishte mik. Fisnik e bujar si ai. Me një force të rrallë shpirtërore, që e tregoi veçanarisht në lëngimin e gjatë, kur u ngrit madhërisht mbi të keqen duke e ruajtur përherë të gjallë interesimin e tij për çdo gjë që e pat të shtrenjtë.
Prof. Dr. Eshref Ademaj vdiq më 17 korrik të këtij viti ( S.S. 1994 ) në moshën 54 vjeçare. Atë e humbëm kur ishte në kulmin e fuqive të tij krijuese, bash në kohën kur bashkëkombasit kishin aq shumë nevojë për talentin e tij të madh, për mendjen e tij të ndrtur, për fjalën e tij me autoritet, për veprimin e tij të guximshëm dhe efektiv. Zbrazëtia që la akademiku Prof. Dr. Eshref Ademaj në frontin e punës e të luftës nuk është aspak e lehtë të mbushet. Por, njerëz si ai mbeten të gdhendur përjetësisht në kujtesën e kombit si pika të ndritshme referimi të historisë së tij.
Le të jenë këto rreshta një homazh e një nderim i thellë për kolegun e shquar e njeriun e mrekullueshëm, për shokun e shtrenjtë e të paharruar.





Prof. Dr. Ejup Statovci
Gazeta “Bujku” date 08.08.1994


Ai e shpiente kohën
Andej nga duhej
( në vend të përkujtimit)

Vdekja dinake por e pamëshirëshme, e rrëmbeu përgjithmon fizikisht akademikun, profesorin e pedagogun, shkencëtarin aq të arritur me mendjen e ndritur të shkencës, luftëtarin e vendosur, të palëkundshëm e largëpamës, prorektorin e Universitetit të Prishtinës, të cilit ai ia kushtoi tërë energjin e tij.
Profesorin Ademaj vdekja e grabiti në kulmin e pjekurisë së tij intelektuale e shkencore, kur kërkimet e tij shkencore, në të cilat shkrihej i tëri, do të kapnin edhe më, pa mëdyshje, thenë simbolikisht qiell e yje, tokë e gjithësi.
Profesori Ademaj edhe për këtë kohë sa jetoi la aq studime, aq të arritura shkencore e libra, aq e përjetsoi punën dhe veten në to, sa ia gjithmon do të jetë me ne dhe yni. Prejse mendja e njeriut prodhon libra, është thenë se libri është përmendore e përmendoreve. Ai është përmendorja më e rendësishme me të cilën bisedojnë studiuesit, bisedojnë studentët, bisedojnë brezat, biusedon populli, bisedojnë me ne dhe për ne, bisedojnë për kohën tone, për shkollën, nivelin dhe të arriturat tona.
A mund kush në këtë plan të mos bisedojë me librat e professor Ademajt. Me të do të bisedohet gjithmonë. Dhe të gjithë do të binden se koha jonë, kohë asnjëherë e favorshme për ne, prodhoi një mendje të ndritur, që shkëlqen në lëmin e tij, me të cilën merrej me aq përkushtim.Ai me mendjen e tij prodhuese e orgjinale të shkencëtarit la vulën edhe na përjetësoi në kohë dhe kohën në ne.
Profesor Ademaj jetoi me Universitetin e ngrit me të dhe e ngriti atë. Ai ishte një nga ato kuadrot e para që prodhoi ky Universitet, por edhe ndër kuadrot e para që prodhuan këtë Universitet. Ishte aq i dedikuar për ngritjen e tij, sa asnjëherë nuk iku nga puna e obligimet, por kërkonte punë – çilte punë dhe ngarkohej me obligime, por edhe hapte obligime për të gjithë, sepse vetë ishte shumë i dedikuar, shumë i ndërgjegjshëm e i sinqertë, si dhe organizator dhe udhëheqës i shquar. Ai e hetonte kohën kur duhej vepruar dhe vepronte me aq guxim e mençuri sa s’kishte si të mos i vinin prapa.
Tërë atë endegji që e derdhi në mbrojtjen e Universitetit, veçanarisht në periudhën më delicate për të që nga viti 1990 e deri në vdekje, s’ka si të moss hënohet. Zgjuarsia e tij në drejtim të duhur, s’ka si të mos jetë e shënuar. Ai vetë nuk u tremb, kur edhe koha vetë zuri të trembej më 1990 – 1991. Nuk lejoi të ndalet koha për Universitetin, e Universiteti për kohën, por vetëm e drejtoi Universitetin edhe pse të zhvendosur, në drejtim të duhur, që e nxe kohën; në drejtimin që vazhdohet. Për të mos u ndalur mendja, shpirti e zemra e popullit, edhe pse rrebeshi i kohës, njeriu rrebesh derdhej me tërë vrazhdësinë në Universitet, ai nuk u frikësua që për të të luftojë në Prishtinë, në Beograd, në Tiranë e gjetiu që koha të ecë dhe Universiteti bashkë me të. S’mund të imagjinohet sot populli ynë dhe koha jonë pa Universitetin, por as Universiteti nuk do të mbetej në kohë pa një mendje krijuese plot orgjinalitet, e ndritur si është kjo e professor Eshrefit.
Mendja e tij bindshëm hyri në shkencën botërore, e ndroi kudo shkencën kombëtare;nga profesori me vision aq të qartë e largparës, nga pedagogu aq i dashur e i afërt për të gjithë, gjithnjë i qeshur dhe i paharushëm, nga prindi e babai jo vetëm për familjen e tij të ngusht që aq shumë e deshi dhe e çmoi, por edhe i gjithë të tjerëve, nga kolegu aq koleg, aq i afërt dhe aq elokuent, nga shoku i shokëve dhe nga njeriu aq i dedikuar për popullin e vetë. Vepra e tij e tërësishme aq madhore përherë do t’i jape dritë mendimit të Universitetit dhe çështjes sonë.
Vepra e tij përherë do të qëndrojë e skalitur dhe e ngritur në piadestalin më të lartë, kurseai vetë i përjetësuar në të. Një përmendore madhore që ia ngriti vetes me punën me përkushtimin dhe me mendjen e tij të ndritur.
Universiteti do t’i jetë përjetë mirënjohës dhe me respekrin më të thellë përulet para figureës së ndritur të shkencës sonë.

ValdrinM

Fillestar
 
Postime: 11

Re: Akademik Prof. Dr.ESHREF ADEMAJ

Postnga MOM-Admin » 11 Gusht 2011, 00:18

Prof. Dr. Eshref Ademaj, ishte nder te paret qe Kosoven e prezentoi nderkombetarisht permes punes shkencore. Ai ishte kryeredaktor i revistes se pare shkencore(ne lemin ematematikes) ne Kosove, reviste e cila ishte me recension nderkombetar . Per gjeneratat e reja te punonjesve shkencor Prof. Dr. Eshref Ademaj do te kujtohet si nje lider shkencor.

Per nder te punes se tij shkencore, dhe personalitetit intelektual qe kishte, ne 17 vjetorin e vdekjes se tij do t'ia kushtoj nje punim shkencor.

Me respekt.
V.K
Riemann hypothesis
The real part of any non-trivial zero of the Riemann zeta function is 1/2.

MOM-Admin

Administratorë
Avatari i antarit
 
Postime: 701
Vendodhja: Prishtinë,Vushtrri


Kthehu tek Tema të lira

Kush është në linjë

Antarë duke shfletuar këtë forum: Asnjë antar i regjistruar dhe 0 vizitorë


cron